Draft — në shqyrtim ligjor
Marrëveshja e përpunimit të të dhënave
Kjo marrëveshje është ndërmjet garazhit që përdor Historiku (Kontrolluesi) dhe Naim Reçica B.I., emri tregtar POS Kosova, Rr. Enver Gjerqeku nr. 9, Prishtinë, numri i biznesit [NUI] (Përpunuesi). Pranohet nga garazhi gjatë regjistrimit, bashkë me kushtet e përdorimit. Bazohet në Ligjin nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
1. Rolet
Garazhi është kontrolluesi i të dhënave të klientëve dhe veturave që fut në Historiku (emra, telefona, email-e, targa, VIN, historik shërbimesh, rikujtime, oferta). POS Kosova i përpunon ato vetëm në emër të garazhit dhe sipas udhëzimeve të tij. Për llogaritë e stafit dhe faqen e marketingut POS Kosova është kontrollues, sipas politikës së privatësisë.
2. Objekti dhe kohëzgjatja
Përpunimi përfshin ruajtjen, shfaqjen, kërkimin, eksportimin dhe fshirjen e të dhënave për të ofruar shërbimin Historiku, për aq kohë sa garazhi ka llogari dhe gjatë periudhës së mbajtjes pas anulimit.
3. Detyrimet e përpunuesit
- I përpunon të dhënat vetëm sipas udhëzimeve të garazhit dhe për ofrimin e shërbimit.
- Siguron që personat me qasje janë të lidhur me konfidencialitet.
- Zbaton masa sigurie: TLS, fjalëkalime dhe tokenë të ruajtur si hash, ndarje strikte e të dhënave sipas garazhit, regjistër auditimi, kopje rezervë.
- Ndihmon garazhin t'u përgjigjet kërkesave të subjekteve të të dhënave (qasje, korrigjim, fshirje), duke ofruar eksport dhe anonimizim të klientit.
- E njofton garazhin pa vonesë të panevojshme nëse mëson për cenim të të dhënave personale.
- Në fund të shërbimit i fshin ose i kthen të dhënat sipas politikës së mbajtjes në politikën e privatësisë.
- I vë në dispozicion garazhit informacionin e arsyeshëm për të vërtetuar përputhjen me këtë marrëveshje.
4. Detyrimet e garazhit
Garazhi siguron bazën ligjore për të dhënat që fut, informon klientët e vet dhe mban të dhënat të sakta.
5. Nënpërpunuesit
Garazhi autorizon përdorimin e nënpërpunuesve të mëposhtëm. POS Kosova do të njoftojë garazhin për ndryshime të tyre.
| Ofruesi | Qëllimi | Vendndodhja |
|---|---|---|
| Hetzner Online GmbH | Serveri (aplikacioni dhe baza e të dhënave) | Nuremberg, Gjermani (BE) |
| Cloudflare, Inc. | DNS, proxy/TLS, përcjellje email-i, kopje rezervë (R2) | Kompani amerikane; vendndodhja e ruajtjes konfirmohet me shqyrtimin ligjor |
| Brevo (Sendinblue SAS) | Email-e transaksionale | Francë (BE) |
6. Ligji, gjykata dhe gjuha
Zbatohen ligjet e Republikës së Kosovës. Mosmarrëveshjet i zgjidh Gjykata Themelore në Prishtinë. Në rast mospërputhjeje midis gjuhëve, versioni shqip ka përparësi. Kontakt: info@historiku.com.